“Drenusha Latifi preket nga takimi me nënën e saj në BBVK,
fëmijët nuk lejohen të marrin pjesë”
Prime-i i sotëm i Big Brother VIP Kosova solli një moment emocionues për Drenusha Latifin, e cila u surprizua nga prania e nënës së saj. Takimi mes tyre ngjalli lot dhe emocione tek ish-missi, duke e bërë këtë moment një nga më të veçantët e mbrëmjes.
Gjatë bisedës së tyre, një detaj i papritur doli në pah. Nëna e Drenushës zbuloi se ish-bashkëshorti i saj, Atilla Kardesh, kishte refuzuar të lejonte fëmijët e tyre të merrnin pjesë në këtë takim.
“Unë e kam bërë kërkesën tek qendra sociale, por Atilla nuk ka dashur t’i sjellë fëmijët sonte, pasi nuk dëshiron që ata të ekspozohen,” u shpreh ajo. “Vetë dëshiron të ekspozohet dhe të bëhet i famshëm, por fëmijët nuk lejon.”
Ky moment shkaktoi reagime emocionale nga Drenusha, e cila dëgjoi me lot në sy fjalët e nënës së saj. Ajo theksoi se kishte pezulluar ardhjen në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, me të vetmen dëshirë që të vinte së bashku me fëmijët e saj.
“Arsyeja ishte se ai nuk donte t’i ekspozonte në Big Brother. Por, a duhet fëmijët të rrinë pa parë mamanë e tyre? Nuk është e lehtë, duhet të kuptohen ndjenjat e një nëne,” vazhdoi ajo.
Nëna e Drenushës qetësoi ish-missin duke i siguruar se fëmijët janë mirë dhe se ajo i sheh çdo ditë, duke i dhënë asaj mbështetjen e nevojshme.
Ky moment preku shumë shikues, të cilët u solidarizuan me Drenushën dhe situatën e saj familjare. Emocionet dhe lotët që shoqëruan këtë takim e bënë këtë pjesë të spektaklit një nga më të komentuarat në rrjetet sociale.